Shijaku organizon për të dytën herë festën që bën bashkë motoristë nga e gjithë Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhjetëra persona të apasionuar pas udhëtimeve me motor dhe të grupuar në shoqata motoristësh nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Italia, Greqia, Turqia, Zvicra, Franca, Gjermania, Hollanda, Suedia dhe USA janë bërë bashkë në Shijak. Ata janë mirëpritur në qendër të Shijakut dhe pasdite vonë kanë bërë një paradë nëpër rrugët e Shijakut, autostradën Tiranë-Durrës dhe në rrugët e Durrësit për t’u kthyer sërish në Shijak ku në mbrëmjen e së shtunës deri në mesnatë do të zhvillohet një koncert festiv me të ftuar special Bledar Sejkon dhe këngëtarë të tjerë e Dj, ndërsa nuk do të mungojnë as ansambli i fëmijëve ”Shijaku” dhe grupi “Pleqtë e Shijakut”. Me këtë event qyteti i Shijakut premton një verë argëtuese dhe të gjallë për qytetarët e vet, por edhe vizitorët.