Ashtu siç u paralajmërua nga presidenti Donald Trump, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të shtojnë trupat ushtarake në operacionin ndaj Iranit, i nisur prej dy javësh. Pentagoni njoftoi të premten se do të dërgojë një njësi detare dhe anije luftarake shtesë në Lindjen e Mesme. Mësohet se do të dërgohet në luftën ndaj Iranit grupi i Gatshëm Amfib Amerikan dhe Njësia 31 e Marinsave Detarë. Grupi zakonisht përbëhet nga 5000 marinsa dhe trupa detarë, të vendosur në disa anije luftarake. Vendimi i SHBA-ve vjen pas intensifikimit të sulmeve nga të dyja palët. Në ditën e 15, Irani zgjeroi hartën e sulmeve, duke dërguar një tjetër raketë në Turqi, ndërsa SHBA dhe Izraeli goditën të gjithë vendin. Gjithashtu, Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes programit “Shpërblime për Drejtësi”, po kërkon informacione mbi “udhëheqësit iranianë të organizatave terroriste”, përfshirë Mojtaba Khamenein, dhe po ofron një shpërblim të konsiderueshëm monetar. Departamenti i Shtetit po ofron deri në 10 milionë dollarë për informacione për liderët iranianë. “Këta individë komandojnë dhe drejtojnë njësi të Korpusit të Gardës Revolucionare, të cilat planifikojnë, organizojnë dhe ekzekutojnë akte terroriste në të gjithë botën”, njoftoi DASH. Më herët, gjatë të premtes, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Peter Hegseth, tha se udhëheqësi suprem i Teheranit, Mojtaba Khamenei, djali i liderit të vrarë në ditën e parë të sulmeve, Ajatollah Ali Khamenei, është plagosur rëndë nga sulmet amerikane dhe është shpërfytyruar, duke hedhur dyshime që ai të mund të qeverisë vendin.