Në Pazarin e Vjetër të Korçës, serenatat korçare kanë rikthyer emocionet e një tradite të veçantë muzikore. Artistët vendas dhe të ftuar, të shoqëruar nga Orkestra e Forcave të Armatosura, sollën për publikun një mbrëmje magjie me tingujt e serenatave të rikompozuara. “Serenights”, në edicionin e tij të dytë, solli një udhëtim mes nostalgjisë dhe risisë, ku tingujt e kitarave dhe zërat e artistëve dëshmojnë se serenata mbetet një nga simbolet më të forta identitare të Korçës. Për kompozitorin Josif Minga, sjellja e serenatës në një formë të rikompozuar e bën atë më të aksesueshme dhe të afërt me publikun, duke ruajtur njëkohësisht elementët autentikë të traditës muzikore.