Prej orëve të para të së mërkurës, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe kompania zbatuese nisën punimet në aksin rrugor Librazhd-Përrenjas, për ndërtimin e një segmenti provizor, që do të bëjë të mundur rikthimin e lëvizjes në Korridorin VIII. Lidhur me situatën, ku prej gjashtë ditësh aksi nacional Librazhd-Pogradec është i bllokuar, reagoi sërish kryeministri Edi Rama, i cili pas Sicilisë solli edhe shembullin e Portugalisë. Me pamje nga një rrugë totalisht e shkatërruar në Portugali, kreu i qeverisë i përgjigjet akuzave të opozitës, sipas së cilës, problemet me rrugën në Librazhd-Pogradec dhe segmente të tjera në vend janë pasojë e korrupsionit qeveritar. "Si ka mundësi që opozitat e këtushme nuk e kanë denoncuar akoma në SPAK këtë vepër të korrupsionit", pyet Rama me ironi, teksa publikon pamjet e videos në Portugali.