Partia Socialiste vijon me të njëjtin qëndrim, pavarësisht kthesës së opozitës për t’iu bashkuar në komisionin e posaçëm parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale. Duke folur në studion e Top News, pak pas vendimit të opozitës, bashkëkryetari socialist i këtij komisioni parlamentar, Arbjan Mazniku, tha se Partisë Demokratike iu dhanë dy mundësi. I ftuar në Top News, Mazniku sqaroi dhe përbërjen e këtij komisioni të posaçëm, ku socialistët do të jenë në shumicë, ndërsa opozita, sipas tij, i hoqi mundësinë vetes për të pasur bashkëkryetar. Më herët gjatë ditës, kreu grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, deklaroi se deputetët opozitarë në këtë komision nuk lejohen nga lidershipi i partisë së tyre që të marrin pjesë, ndërsa paralajmëroi se mekanizmi zhbllokues do të aplikohet edhe në komisionin tjetër të reformës zgjedhore.