Policia izraelite ka arrestuar avokaten e përgjithshme ushtarake, Yifat Tomer-Yerushalmi, pasi ajo pranoi se kishte lejuar publikimin e një videoje ku shfaqej abuzimi i një palestinezi nga ushtarët izraelitë. Sipas mediave vendase, ajo dyshohet për shpërdorim detyre, mashtrim dhe zbulim të informacionit zyrtar, vetëm pak ditë pasi dha dorëheqjen. Tomer-Yerushalmi (Jerushalmi) kishte shpjeguar se publikimi i videos synonte të mbronte hetuesit ushtarakë nga sulmet e ekstremit të djathtë. Videoja u regjistrua në qendrën e paraburgimit “Teiman”, e njohur për abuzime ndaj palestinezëve. Pamjet shkaktuan reagime të ashpra politike, me figura të djathta që e akuzuan avokaten për “dëmtim të imazhit të Izraelit”. Arrestimi i saj ka shkaktuar një valë debatesh mbi pavarësinë e drejtësisë ushtarake dhe aftësinë e Izraelit për të hetuar vetë shkeljet ndaj palestinezëve, në një kohë kur vendi përballet me akuza ndërkombëtare për krime lufte në Gaza.