Partia Demokratike ka vendosur të bojkotojë përkohësisht punimet e Kuvendit, pas seancës së fundit plenare, ku u kalua mes kundërshtive të opozitës, tensionesh e përplasjesh të forta projektligji për barazinë gjinore. Nga e hëna, deputetët opozitarë kanë vendosur të mos marrin pjesë në asnjë mbledhje të komisioneve parlamentare. Ata janë njoftuar përmes një mesazhi të nisur nga kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, i cili njoftoi se bojkoti do të jetë i përkohshëm. Në mesazhin që Bardhi iu ka drejtuar kolegëve, iu kërkohet që të mos mungojnë në mbledhjen e grupit parlamentar, të hënën.