Në prag të Pashkës Ortodokse ka nisur fluksi në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Sipas informacioneve nga autoritetet shqiptare, janë marrë masa për të përballuar situatën, duke shtuar numrin e sporteleve. Aktualisht, në hyrje të territorit shqiptar po operojnë 5 sportele, ndërsa në dalje 1. Fluksi më i madh është regjistruar në hyrje, ndërkohë që pala shqiptare ka arritur të shmangë krijimin e radhëve dhe pritjeve të gjata falë hapjes në maksimum të sportrleve. Ndryshe paraqitet situata në palën greke, ku sipas udhëtarëve pritjet kanë shkuar deri në 1 orë e 30 minuta. Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën pasi siç thuhet prej tyre fluksi do të jetë në rritje edhe në ditët në vazhdim.