Në prag të Pashkës Ortodokse ka nisur të rritet ndjeshëm fluksi i lëvizjeve në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Qindra emigrantë kanë zgjedhur të vijnë në Shqipëri për të festuar pranë familjarëve, duke sjellë shtim të ndjeshëm të lëvizjeve në këtë pikë kufitare. Për të përballuar situatën, autoritetet shqiptare kanë shtuar numrin e sporteleve në funksion. Aktualisht, në hyrje janë në dispozicion të udhëtarëve 5 sportele, çka ka bërë të mundur shmangien e radhëve dhe pritjeve të gjata. Ndryshe paraqitet situata në palën greke, ku pritjet shkojnë deri në 1 orë e 30 minuta, duke krijuar vonesa për kalimin e kufirit.