Moti i keq ka mbërthyer të gjithë vendin prej orëve të para të së premtes. Temperatura nën zero, reshje dëbore dhe ngrica në veri, verilindje dhe juglindje, si dhe stuhi ere në zonat bregdetare, ndërsa paralajmërohet përkeqësim. Situata më problematike paraqitet në rrugët nacionale të Qarkut të Elbasanit, ku mijëra mjete u bllokuan për orë të tëra. Në tre akset kryesore, Elbasan-Përrenjas, Elbasan-Qafë Thanë dhe Librazhd-Peshkopi mbetën të bllokuar mijëra qytetarë, për shkak të ngricave në rrugë, por edhe numrit të lartë të turistëve që ktheheshin nga pushimet pas festave. Në Librazhd reshjet e dëborës vijojnë me intensitet të lartë, ndërsa temperaturat kanë zbritur nën zero.