Polarizimi i vazhdueshëm politik, lufta me korrupsionin në nivele të lartë, por edhe protestat e dhunshme të opozitës, shihen me shqetësim nga eurodeputetët e Parlamentit Evropian. Në raportin e vitit 2025 për Shqipërinë, që do të diskutohet në Parlamentin Evropian, eurodeputetët paraqesin përmes 305 amendamenteve, problematikat kryesore të vendit tonë, por edhe punën e bërë deri më tani, si vend aspirant për t’iu bashkuar familjes evropiane brenda vitit 2030. Në raportin që do të shqyrtohet në seancën për Shqipërinë, që në krye të herës theksohet rëndësia e Reformës në Drejtësi, çështje e ngritur nga kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian, David McAlister, i njohur për rolin e tij negociator në Tiranë, në vitin 2017.