Me LDK-në e parë si humbëse e madhe e këtyre zgjedhjeve, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, konsideron se është koha për një reflektim të thellë brenda partisë. Abdixhiku deklaroi se merr përgjegjësinë për rezultatin e dobët të arritur në zgjedhjet parlamentare të së dielës, për të cilin pohoi se nuk e priste të tillë. Ne duhet të respektojmë verdiktin e popullit. Nuk kam arritur ta çoj LDK-në aty ku kam besuar se duhet të jetë. Kam ndërtuar ekip me njerëzit më të mirë dhe kemi bërë program, por ky është verdikti i qytetarëve dhe para këtij verdikti përulemi të gjithë. Ai shtoi se do të thërrasë organet e LDK-së për të diskutuar hapat e mëtejshëm.