Ministrat për Çështjet Evropiane miratuan konkluzionet për procesin e zgjerimit, ku vlerësohet ecuria e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit, duke nënvizuar hapjen e të gjithë grup-kapitujve. Këshilli i Bashkimit Evropian u bën thirrje forcave politike të bashkëpunojnë për të garantuar reformat. Sipas Këshillit, ritmi i negociatave do të varet nga përparimi në fushën e sundimit të ligjit. Një vlerësim i veçantë i bëhet reformës në drejtësi, ku evidentohet roli kyç i SPAK-ut. BE thekson se rezultatet e arritura nga SPAK dhe gjykatat e posaçme, përfshirë hetimet dhe çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë, janë tregues konkretë të progresit dhe duhet të mbrohen nga çdo ndërhyrje politike apo institucionale. Këshilli përshëndet gjithashtu bashkëpunimin e Shqipërisë me agjencitë evropiane të zbatimit të ligjit dhe progresin e shënuar në luftën kundër krimit të organizuar. Në të njëjtën kohë, kërkohet më shumë angazhim në fushën e të drejtave themelore, veçanërisht për forcimin e lirisë dhe pavarësisë së medias. Në planin ekonomik, Shqipëria vlerësohet për nivelin e përgatitjes drejt një ekonomie tregu funksionale. Konkluzionet, të cilat pritet të miratohen në fundjavë edhe nga 27 liderët e BE-së, u bëjnë thirrje vendeve kandidate që të shfrytëzojnë këtë moment për të përshpejtuar reformat dhe përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.