Top Channel/ Kokainë nga lëkura e lopëve, zbulimi befasues! Si funksiononte laboratori
16/11/2024 20:53

Aksioni i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, në bashkëpunim DEA-n amerikane shkatërroi një rrjet droge që sillte nga Amerika Latine në Shqipëri, kokainën e fshehur në lëkurë kafshësh. 10 persona u arrestuan, mes tyre 7 shqiptarë, një nga Kolumbia dhe dy nga Venezuela, të cilët nga një hetim i SPAK rezultojnë se bënë gati infrastrukturën për të përpunuar ngarkesë kokaine e sjellë nga Amerika Latine. Hiëlen Ledezma Narvaez 41 vjeç, shtetas kolumbian, Joze Ramon Zacarias Vasquez 35 vjeç, shtetas venezuelian dhe Samuel Alfonso Moreno Serrano 42 vjeç, shtetas venezuelian, ishin tre shtetasit e huaj që ranë në pranga gjatë operacionit. Ndërsa shtetasit shqiptarë të arrestuar janë Geis Fejsullai 42 vjeç, banues në Tiranë; Klajdi Birçe 40 vjeç, banues në Tiranë; Artion Caushllari, 37 vjeç, banues në Tiranë; Endi Sejdini 25 vjeç, banues në Krujë; Aldi Zonja 37 vjeç, banues në Tiranë; Ismail Abdurrahmani, 51 vjeç, banues në Shkodër; Baki Huqi, 57 vjeç, banues në Durrës. Në njoftim, Prokuroria e Posaçme ka zbuluar se si kolumbianët dhe venezuelianët përdoreshin si “ekspertë” që garantonin suksesin teknik të operacionit, pasi mund të ekstratonin kokainën nga materiale gjenetike. Kjo bëhej me anë të lëkurës së bagëtive, ku droga e papërpunuar kthehej në produkt të gatshëm për tregun. “Kolumbianët dhe venezuelianët, të njohur për ekspertizën e tyre të thelluar në trajtimin dhe përpunimin e kokainës, ishin “ekspertët” që garantonin suksesin teknik të operacionit. Aftësia e tyre për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si “lëkurat e bagëtive” e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë, për tregun shqiptar dhe atë evropian. Ky bashkëpunim tregon jo vetëm përmasën ndërkombëtare të grupit, por edhe synimet e tij për të operuar në nivele të larta të organizimit dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar në përpunimin e drogës”, shprehet Prokuroria. Rrjeti operonte në mënyrë të sinkronizuar, thotë SPAK, me çdo hallkë të përcaktuar në mënyrë të detajuar. Ekspertët e huaj përqendroheshin në proceset teknike të përpunimit, duke shfrytëzuar aftësitë e tyre për të ngritur laboratorë të përpunimit të drogës. Ndërkohë, financuesit shqiptarë siguronin investimet, pajisjet dhe përbërësit kimikë. Transportuesit dhe përpunuesit lokalë luanin rolin e tyre për të siguruar lëvizjen e sigurt të drogës dhe pajisjeve, ndërsa shpërndarësit kishin detyrën për ta futur drogën në tregjet e destinuara. Trafikantët kishin zgjedhur Qerekën në Fushë Krujë për përpunimin e kokainës, por kishin dhe ambient ndihmëse në Tiranë dhe Durrës, të cilat sipas SPAK, ishin vendosur në pika strategjike të infrastrukturës kombëtare. Pranë aeroportit më të madh të vendit, dhe portit të Durrësit, këto zona vështirësonin monitorimin nga ajri prej agjencive ligjzbatuese, dhe nga ana tjetër lehtësonin transportin e shpejtë të drogës dhe përzierësve kimike, duke siguruar një qasje të shpejtë në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Përzgjedhja e këtyre lokacioneve tregon qartazi një planifikim të kujdesshëm, ku distanca e afërt me nyjet kryesore të logjistikës kombëtare ishte një faktor kyç për funksionimin pa ndërprerje të këtij rrjeti kriminal. Në total, u sekuestrua material të papërpunuar prej 48 tonësh (rreth 850 lëkurë gjedhi) ku dyshohet se fshihet lëndë narkotike, të importuara nga Amerika Latine në shtator dhe nëntor 2024; 6.1 kg lëndë narkotike e dyshuar si kokainë 36,270 euro, 357,046 lekë të reja dhe 57 milionë peso kolumbiane (afërsisht 12, 200 euro); 89.5 kg përzierës të ngurtë dhe 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës; pajisje për ngritjen e laboratorëve, si presa, axheton, epruveta qelqi, preparate kimike, mikrovalë, qese paketimi, dhe llampa nxehtësie; 22 telefona celularë, 2 laptopë, 7 karta banke dhe 17 karta SIM 3 automjete të markave të ndryshme dhe dokumente të tjera të rëndësishme. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, e konsideron operacionin e SPAK për goditjen e laboratorit të drogës në Fushë Krujë si një moment kyç në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri. “Ky hetim është dëshmi e qartë se SPAK është i përkushtuar për të ndjekur dhe goditur rrjetet kriminale që kërcënojnë sigurinë dhe drejtësinë në vendin tonë. Suksesi i deritanishëm i këtij procedimi penal tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ekspertiza e brendshme janë çelësi për rezultate konkrete”, ka deklaruar kryeprokurori i SPAK. prokurori Adnan Xholi, theksoi rëndësinë e përdorimit të mjeteve të posaçme të hetimit në zbardhjen e këtij rrjeti. “Ky hetim na ka treguar një model të ri dhe kompleks të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku ekspertiza e huaj kombinohet me elementët lokalë për të ngritur një sistem të integruar kriminal. Goditja e këtij rrjeti është një sinjal i fortë për të gjithë ata që mendojnë se mund të operojnë të pandëshkuar.”

Top News- Terrorizmi në plazhin australian/ Liderët ndërkombëtarë dënojnë ashpër sulmin
14/12 23:10
Top Channel/“Dialog 360 gradë me Athinën”.Mediat greke jehonë vizitës së parë të Spiropalit në Greqi
14/12 23:06
Top News- Përdhunoi dhe vrau 9-vjeçarin, vritet me plumb 46-vjeçari sapo doli nga burgu
14/12 23:00
Top Channel/ Një i arrestuar për sulmin në SHBA. I dyshuari, një 20-vjeçar që strehohej në një hotel
14/12 22:53
Top Channel/ Ndërkombëtarët dënojnë sulmin. Albanese mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare
14/12 22:49
Top Channel/ Lirohet vëllai i deputetit të PD. Alti Nallbati dhe 2 të tjerë morën peng Ilir Topçiun
14/12 22:40
Top Channel/ 2 pengmarrësit e Vlorës në burg. Mbrojtja nuk arrin të bindë gjykatësit me video
14/12 22:35
Top Channel/ Masakra në Australi, 16 viktima. Kalimtari guximtar përleshet me sulmuesin
14/12 22:32
Top News- Humb jetën 65-vjeçari në Kamëz/ Elektricisti bie nga kati i 8 i pallatit në ndërtim
14/12 21:08
Edicioni Informativ, 14 Dhjetor 2025, Ora 19:30
14/12 20:55
Top Channel/ “Realizova amanetin e nënës”/ Rekordi në Ballkan, rrëfimi i Caljes: Jam drejt fundit
14/12 20:02
Top Channel/ “Hamleti” në teatrin Metropol! Kryevepra e Shekspirit rikthehet me regji moderne
14/12 20:01
Top Channel/ Rrëfehet “mbesa e Kryeministrit”, Ermes Hoxhalli tregon “bashkëpunëtorët”
14/12 19:52
Top Channel/ “Trimoshët me patllake në qeveri”/ Hetimi i Ballukut, BKH: I lamë armët në dollap
14/12 19:34
Top News- ‘Patllaket’ përplasin Ramën dhe BKH/ Kryeministri- Mungesë etike dhe profesionalizmi
14/12 18:59
Top News- ‘Trimosha me patllake në Kryeministri’/ BKH reagon pas Ramës-Asnjë përplasje me gardën
14/12 18:15
Top News-Gazment Bardhi i përgjigjet Ramës/‘Precedent unik,Shqipëria ka zv.kryeministër të pandehur’
14/12 18:00
Top News – Bunkerë betoni në kufi me Rusinë / Blindohet vendi i NATO-s, ‘Vija Baltike e Mbrojtjes’
14/12 17:30
Top News – Bombë në makinën e sulmuesve / Australi, 12 viktima në sulmin e çmendur në plazh
14/12 16:50
Top News- Vodhën tabakinon tek ‘Kthesa e Kamzës’/ Tre persona dhunuan shitësin, arrestohet njëri
14/12 15:32
BILETA Portokalli - Bileta