Një ditë pas vendimit të Bordit të Transparencës për të ulur çmimin e pakicës së naftës dhe benzinës përkatësisht në 203 dhe 175 lekë për litër (nga 214 dhe 199 lekë që ishin më parë ) dhe ato të shumicës në 191 dhe 163 lekë për liter, 5 importuesit më të mëdhenj të naftës kanë dalë kundër këtij vendimi, sepse sipas tyre, ky çmim i lëndës djegëse nuk mbulon kostot e prodhimit. Sipas tregtarëve shqiptarë të naftës ata nuk mund të shesin naftë nën kosto, pasi do të shkaktonte humbje të mëdha për bizneset e tyre, për këtë arsye kërkojnë nga Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, të ribëjnë analizë të shifrave të blerjes së naftës. Në të kundërt shitësit e naftës paralajmërojnë së do të marrin masa deri në: Pezullimin dhe kufizimin e shitjes me shumicë të naftës dhe benzinës; Frenimin dhe kufizimin e procesit të zhdoganimit të karburanteve në Porto Romano, deri në një moment të dytë. Të dhënat e fundit të bursës në datën 26 mars tregojnë se nafta ka kushtuar 1402.5 dollarë për tonë, me një rritje prej 134.75 dollarë për tonë, si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme; ndërsa benzina ka kushtuar 1037.25 dollarë për tonë, me një rritje prej 49.25 dollarë për tonë. Referuar të dhënave në bursë, importuesit shqiptarë të hidrokarbureve theksojnë se çmimi i shitjes me pakicë, me një marzh bruto prej 3 lekë/litër, sot duhet të jetë: nafta me 224.21 lekë për litër dhe benzina me 189.76 lekë për litër. Pra, importuesit kërkojnë nga qeveria që çmimi tavan i tregtimit të naftës me pakicë të jetë 21,21 lekë për litër më i lartë se ai i vendosur nga Bordi i Transparencës, konkretisht 203 lekë/litri. Importuesit e argumentojnë këtë vendim me pretendimin se çmimet me pakicë që ka vendosur Bordi i Transparencës janë shumë herë më të ulëta se çmimi I naftës në bursë. Sipas importuesve, përllogaritja e Bordit të Transparencës është bazuar në formulën e përdorur në vitin 2022, e cila nuk reflekton kushtet aktuale të tregut dhe, në veçanti, kontratave në fuqi që aplikojnë me furnitorët. Si rrjedhojë, çmimet e përcaktuara nuk pasqyrojnë kostot reale që aktualisht formojnë çmimin e një litri nafte dhe benzine për tregtimin me shumicë. Importuesit kanë kërkuar në shkresat e tyre që të mblidhet sa më shpejt “Bordi i Transparencës dhe të rishikojë metodologjinë e përllogaritjes së çmimit.