Bashkimi Europian i dha dritën jeshile adoptimit të euros nga Kroacia nga 1 janari i vitit te ardhshëm, kur vendi do të bëhet anëtari i 20-të i zonës së monedhës së përbashkët. Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në Bruksel në prani të ministrave të financave të bllokut. Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i BE-së, ishte ai që kishte rekomanduar që kombi i Adriatikut me 3.9 milionë banorë të lejohej të adoptonte monedhën e përbashkët, pas konstatimit se Kroacia i përmbush kërkesat e nevojshme për çështje që përfshijnë inflacionin dhe borxhin publik.