Greqia rrit pagën minimale, e cila nga 1 Prilli shkon në 920 euro bruto, sipas njoftimit të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Bëhet fjalë për rritjen e gjashtë radhazi që nga viti 2019, ndërsa vetëm nga viti i kaluar paga bazë shtohet me 40 euro në muaj. Kjo rritje nuk prek vetëm punonjësit që paguhen me minimumin, por “tërheq” automatikisht lart edhe një sërë pagesash dhe përfitimesh të lidhura me të, si shtesat për vjetërsinë në punë, të ashtuquajturat periudha trevjeçare. Kryeministri Mitsotakis theksoi se rritja është pjesë e një tendence të vazhdueshme të viteve të fundit.