Tre vjet pas tragjedisë më të rëndë hekurudhore në historinë moderne të Greqisë, nisi në qytetin e Larisës gjyqi për aksidentin hekurudhor e Tempit , ku humbën jetën 57 persona, 6 prej të cilëve me origjinë shqiptare. Procesi, i shumëpritur nga familjarët e viktimave dhe opinioni publik, u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, por u ndërpre që në ditën e parë, për shkak të kushteve të papërshtatshme dhe mbipopullimit në sallën e gjyqit. Ishin reagimet e fuqishme sapo filloi seanca , për mungesën e hapësirës dhe kushtet e sigurisë, që detyruan gjykatën ta shtyjë procesin për më 1 prill. Në sallë ndodheshin familjarë të viktimave, të mbijetuar, dhjetëra gazetarë dhe rreth 250 avokatë, ndërsa shumë prej tyre qëndruan në këmbë për orë të tëra.