Komiteti për buxhet i Gjermanisë ka hapur rrugën për paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 3 miliardë eurosh, pasi Friedrich Merz – kancelari në ardhje –po shtyn përpara rritjen e investimeve në mbrojtje. Të dy dhomat e Parlamentit gjatë kësaj jave miratuan planin e konservatorëve të Merzit dhe Socialdemokratëve, të cilët po zhvillojnë bisedime për formimin e Qeverisë së re gjermane. Planet e Merzit për shpenzime të miratuara nga Dhoma e Lartë e Parlamentit më 21 mars mundësojnë krijimin e një fondi prej 500 miliardë eurosh për shpenzime në infrastrukturë dhe lehtësim të rregullave të huas, duke mundësuar shpenzime më të larta në mbrojtje.