Janë zbuluar dokumentet në lidhje me ish-kryeministrin Mehmet Shehu, të cilat u bënë publike nga Memorie. Al. Në to tregohet dhe vijohet si më poshtë: Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj! Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, (pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë. Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi. Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.