Autoriteti kryesor botëror për krizat ushqimore ka konstatuar të premten se qyteti i Gazës është përfshirë nga uria, teksa ka paralajmëruar se ajo mund të përhapet në të gjithë territorin, nëse nuk arrihet menjëherë marrëveshja për armëpushim dhe nuk hiqen kufizimet ndaj ndihmës humanitare. Klasifikimi i Integruar i Sigurisë Ushqimore (IPC), organizata e mbështetur nga Kombet e Bashkuara, ka deklaruar se uria është përhapur aktualisht në qytetin e Gazës, ku jetojnë qindra mijëra palestinezë, dhe se ajo mund të shpërndahet me shpejtësi.