Gjatë regjimeve totalitare, propaganda ishte armë ndonjëherë më e fuqishme se vetë aparati i dhunës. Kinematografia për shkak të shpejtësinë së saj të komunikimit dhe audiences së lartë që arrinte për një kohë shumë të shkurtër, u shndërrua në një mjet për indoktrinimin e shoqërisë. Në takimin e radhës së klubit të filmit të Arkivit të Filmit, në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit u trajtua “Vitet e para”, ekranizimi i librit të Fatmir Gjatës për tharjen e kënetës së Maliqit. Në film, etiketohen si sabotator personazhe realë si Abdyl Sharra apo amerikani Harry Fultz. Në studimin e saj, që në takim u lexua nga Brunilda Çërraga, Prof. Sonila Boçi e konsideron dënimin e inxhinierëve të angazhuar për tharjen e kënetës si pjesë e justifikimeve për dështimet e regjimit.