3 javë pasi kanë hequr traktorët e tyre nga shumë akse rrugore të cilat i mbajtën të bllokuara për gati një muaj e gjysëm, fermerët grekë nga i gjithë vendi i janë drejtuar Athinës. Mijëra prej tyre me qindra traktorë nga e gjithë Greqia kanë “zbarkuar” sot në qendër të Athinës, duke kthyer sheshin Sintagma në epiqendrën e protestës së sektorit bujqësor. Autokolona e mjeteve bujqësore arriti, mes duartrokitjeve dhe sinjaleve të borive para Parlamentit, ku u mbajt tubimi i madh i organizuar nga Komiteti Panhelen i Bllokadave të rrugëve automobilistike. Fermerët deklarojnë se problemet e tyre mbeten të pazgjidhura. Ata protestojnë për rritjen e kostos së prodhimit, çmimet e ulëta të shitjes së produkteve dhe kërkojnë kompensim për të ardhurat e humbura.