Policia e Elbasanit ka zhvilluar një operacion antidrogë ku u godit një grup i strukturuar kriminal. 3 persona përfunduan në pranga ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 45 kg kanabis dhe armë luftarake. Gjatë operacionit u plagos lehtë aksidentalisht një punonjës policie. Operacioni u zhvillua në orët e vona të natës së të martës duke çuar në goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Aksioni është realizuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër dhe është koordinuar nga prokuroria e Elbasanit. Si rezultat i ndërhyrjes, tre persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa në automjetin me të cilin ata lëviznin janë sekuestruar të paktën 45 kilogramë kanabis sativa, një armë luftarake, municion, një sasi e konsiderueshme parash, si dhe disa telefona celularë me karta SIM shqiptare dhe të huaja.