Ekonomia shqiptare po rimëkëmbet me shpejtësi, duke reflektuar edhe elasticitetin e saj përballë krizave. Sipas Institutit të Statistikave Prodhimi i Brendshëm Bruto u zgjerua ndjeshëm në tremujorin e parë të vitit duke u rritur me 5.5% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2020, kur pandemia sapo ishte përhapur në vend dhe ekonomia u tkurr me -2.5%. Me këtë normë rritje, ka tejkaluar edhe nivelet e parakrizës pasi në të njëjtën periudhë të 2019-ës ekonomia shënonte një rritje prej 2.2%. Degët që kanë dhënë kontributin më të madh në përshpejtimin e rritjes ekonomike janë industria nxjerrëse e përpunuese, si dhe energjia elektrike si rrjedhojë e reshjeve të shiut, duke rritur ndjeshëm prodhimin në pjesën e parë të vitit.