Shqipëria luan finalen e parë për në Botërorin 2026, ku në Varshavë do të ndeshet me Poloninë. Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, u shpreh në konferencën përpara mediave se ekipi është gati për këtë moment historik. “Sigurisht, e kemi ndjerë këtë ndeshje shumë. Eksperienca në ndeshjet e fundit të Kombëtares na kanë treguar që zhvillimi ynë ka qenë i mirë. Besoj do jemi gati nesër të japim maksimumin. Kundërshtari ka një nivel të lartë dhe do provojmë çdo gjë për të arritur këtë ëndërr. Besoj se ekipi do të jetë gati, sepse është një rast i madh dhe nuk mendoj se eksperienca nuk ka shumë lidhje. Është vullneti, dëshira dhe djersa që lë në fushë. Ai që është më i aftë do të fitojë. Është e vështirë. Lewandowski është një nga sulmuesit që ka bërë karrierë shumë të gjatë. Por nuk do të jem i vetëm që do provoj të ndaloj Lewan. Do jetë i gjithë ekipi që do tentojë të fitojë. Europa League me Atalantën apo kualifikimi në Botëror me Shqipërinë? Në këtë moment nuk jam në atë pikë që të vendos se kë preferoj. Si kapiten, të bëjmë një histori kaq të madhe me Shqipërinë, do të jetë e mrekullueshme. Duhet të shohim hap pas hapi. Të mendojmë për nesër, pastaj çfarë do ndodhë. Shanset kur të hysh në fushë janë 50-50. Unë në fushë futem për fitore, njësoj si Kombëtarja. Kemi marrë shumë eksperiencë në ndeshjet e fundit. Taktikën e vendos trajneri”, tha Gjimshiti.