Sot i dha fund arratisë, duke u dorëzuar në polici, autori i dyshuar i vrasjes së 47-vjeçarit Arjan Gosa. Habib Rexha, 31 vjeç, u vetëdorëzua, pas negociatave të vazhdueshme të policisë, gjatë dy ditëve të fundit me familjen e tij, por edhe në pamundësi për t’u larguar nga vendi. 31-vjeçari që ekzekutoi për hakmarrje me një plumb në kokë Arjan Gosën do të përballet me drejtësinë për krimin e kryer pasditen e vonë të së dielës në Kavajë. Viktima u vra ndërsa ndodhej në lokal së bashku me babain e tij të moshuar, dëshmia e të cilit është pjesë e dosjes hetimore për ngjarjen.