Ndërsa dështoi mbledhja e kryesisë së Kuvendit ku do të debatohej për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi për mungesë kuorumi, Shefja e deputetëve të shumicës, Mimoza Kusari Lila e cilësoi tendencioze, qasjen e opozitës në lidhje me hetimet që po zhvillohen për rastin në KEK. “E konsiderojmë totalisht të papranueshme dhe tërësisht jo të përgjegjshme, abstenimin e vazhdueshëm të opozitës qoftë nga votimet në seanca plenare të Kuvendit të Kosovës, qoftë në mbledhjet e kryesisë së kuvendit... Në vend se të kryejnë punën për të cilën janë zgjedhur deputetët e opozitës, kanë zgjedhur që tashmë të luajnë rolin edhe të prokurorit dhe të hetuesve policor”, ka deklaruar Kusari-Lila.