Një Gjykatë në Shtetet e Bashkuara ka shpallur kompanitë “Meta” dhe YouTube përgjegjëse për neglizhencë, duke vendosur se ato kanë krijuar qëllimisht produkte që shkaktojnë varësi dhe kanë dështuar të paralajmërojnë përdoruesit për rreziqet. Vendimi i gjykatës u dha në favor të një gruaje 20-vjeçare, identifikuar në dokumentet gjyqësore me inicialet KGM, e cila paditi dy gjigantët e teknologjisë për ndikimin e rrjeteve sociale në shëndetin e saj mendor. Juria i ka dhënë paditëses dëmshpërblim prej 3 milionë dollarësh, pas gati nëntë ditësh diskutime intensive. Padia ishtee para e këtij lloji që shkoi në gjyq në SHBA, ndërsa juria dëgjoi dëshmi nga drejtues të lartë të “Metas” dhe “YouTube”, sinjalizues, ekspertë për rrjetet sociale si dhe nga vetë paditësja. E reja dëshmoi se u bë e varur nga YouTube që në moshën 6-vjeçare dhe nga Instagram që në moshën 9-vjeçare. Ajo tha se përdorimi i këtyre platformave ndikoi rëndë në mirëqenien e saj: në moshën 10-vjeçare u bë depresive dhe filloi të lëndonte veten. Përdorimi i rrjeteve sociale, sipas saj, e largoi nga familja dhe shoqëria. Në moshën 13-vjeçare, terapisti i saj e diagnostikoi me çrregullim dismorfik të trupit dhe fobi sociale, të cilat ajo ia atribuon ndikimit të Instagramit dhe YouTube. Vendimi i jurisë shënon një precedent të rëndësishëm në drejtim të llogaridhënies së kompanive teknologjike për ndikimin e produkteve të tyre mbi të rinjtë dhe shëndetin mendor.