Qytete të shumta në Kosovë u përmbytën gjatë kësaj jave nga reshjet e pandërprera që nisën të hënën e pesë janarit. Shtëpi, lokale, vetura e toka bujqësore u vërshuan nga lumenjtë që dolën nga shtrati. Dhjetëra shtëpi të lagjes “2 Korriku” të Mitrovicës janë përmbytur, dy ditë pas, banorët janë kthyer për të pastruar dëmet e shkaktuara nga vërshimet e lumit Sitnica. Qasja në disa prej shtëpive është e pamundur për shkak që niveli i ujit shkon mbi një metër, por, kryefamiljarët po qëndrojnë për të parë situatën se si do zhvillohet.