Edhe seanca maratonë e të enjtes u shoqërua me debate të forta për më shumë se 12 orë. Një kontroll i inspektorëve brenda sallës së Kuvendit për duhanin shqetësoi opozitën dhe shkaktoi përplasje mes palëve. Debati u tensionua edhe më tej, kur opozitari Flamur Noka u përplas me socialistin Ardit Bido, ku dy deputetët kaluan edhe në sulme personale. Në debat u përfshi dhe kreu i grupit socialist, Taulant Balla, që ironizoi Flamur Nokën, por përgjigjen e mori nga Klevis Balliu. Tensionet dhe akuzat mes deputetëve socialistë dhe demokratë vijuan për shumë orë, pasi u rrëzua kërkesa e këtyre të fundit për interpelancë me kryeministrin Edi Rama për çështjen “Balluku”.