Gjykata e Lezhës ka dënuar me burgim të përjetshëm portugezin Ruben Saraiva, të akuzuar si ekzekutor i biznesmenit Ardian Nikulaj. Ai u shpall fajtor për “vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim”, si dhe për “mbajtje pa leje të armëve”. Sipas gjykatës, provat e administruara vërtetojnë se Saraiva është personi që qëlloi për vdekje Nikulajn, në një atentat të mirëorganizuar. Nga hetimet rezulton se vrasja ishte porositur nga Edmond Haxhia, i cili kishte siguruar edhe bashkëpunimin e disa shtetasve britanikë, konkretisht Stephen Hunt, Thomas Mithan dhe Harriet Bridgeman, të arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar si të dyshuar për përfshirje në krim. Pas seancës, avokati mbrojtës i Saraivës deklaroi se “sot është dënuar një i pafajshëm”, duke këmbëngulur se nuk ekziston asnjë provë që implikon klientin e tij në këtë çështje dhe duke ngritur akuza për mangësi në proces. Vendimi i dhënë në Lezhë konsiderohet i rëndësishëm jo vetëm për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, por edhe për një proces tjetër gjyqësor që po zhvillohet mijëra kilometra larg, në Londër. Atje po shqyrtohet kërkesa për ekstradimin e Edmond Haxhisë dhe bashkëpunëtorëve të tij drejt Shqipërisë. Ky proces pritet të shoqërohet me një përballje të fortë ligjore, ku mbrojtja synon të ndalojë ekstradimin duke ngritur pretendime për shkelje të të drejtave të njeriut dhe mungesë të një gjykimi të drejtë në Shqipëri.