Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e përshëndeti pajtueshmërinë mes Kosovës dhe Serbisë mbi udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. “Përmbushja e detyrimeve sipas Marrëveshjes Bazë, si pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm për pajtim, do të ofrojë mundësi të mëdha për njerëzit në dy shtetet dhe do të përshpejtojë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga kreu I diplomacisë amerikane, I cili e përgëzoi si kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ashtu edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic, për lidershipin e treguar.