Rama ka reaguar në lidhje me ankimimin që ka bërë në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut nga SPAK. Sipas tij, është një ankimim që e ka bërë në rolin e Kryeministrit dhe jo si e Edi Rama dhe se kjo është një betejë institucionale gjyqësore, “për të mos lejuar atë që nga Komisioni i Venecias konsiderohet shkelje e palejueshme e kufirit ndarës mes pushteteve”. “Presion gjykatës? Kryeministri nuk duhet të flasë për një proces gjyqësor. Mesa duket, me një pjesë nuk jemi kuptuar dhe prandaj jam këtu, duke e nisur me pyetjen; e dini kush e ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, pezullimin e ministres nga një prokuror dhe një gjykatës? E kam ankimuar unë, natyrisht si kryeministër , jo si Edi Rama dhe natyrisht jo për një individ, një minsitër që në këtë rast është edhe zëvendëskryeministër, po për parimin; për parimin e moscënimmit të balancës mes pushteteve; për parimin e mosndërhyrjes së një pushteti tjetër të pavarur, në përbërjen e pushtetit të pavarur ekzekutiv; për parimin e mosmarrjes së kompetencave të kryeministrit dhe të presidentit nga një prokuror dhe nga një gjykatës. Shkurt, kjo është një betejë institucionale gjyqësore për të mos lejuar atë që, nga Komisioni i Venecias konsiderohet shkelje e palejueshme e kufirit ndarës mes pushteteve. Pra, unë jam palë dhe flas si palë, nuk i bëj presion askujt dhe nuk flas për një proces gjyqësor që zhvillohet dhe diku dhe nuk ka lidhje me rolin tim. Unë flas për publikun, për një proces që vendos, jo për mua si individ, por për diçka shumë më të madhe, për balancën mes pushteteve të pavarura në Shqipëri, për lirinë kushtetuese të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, për të vendosur për ekzekutivin dhe për përbërjen e tij, për të drejtën ekskluzive të parlamentit, për ta miratuar ose jo përbërjen e një qeverie të propozuar nga kryeministri. Dhe jo sot për sot, po dhe për të ardhmen, pavarësisht nga unë, nga ne, nga ata që sot jemi dhe nesër s’jemi në këto detyra. Nëse pezullimi i një ministri nga një prokuror dhe një gjykatës sot do të legjitimohej si një e drejtë e ligjshme e drejtësisë, atëherë shtrirja e krahut të gjyqësorit përtej kufirit ndarës në ekzekutivin dhe me vetë jetën politike shqiptare do të krijonte një precedent unikal të rrezikshëm dhe kërcënues, sepse duke i hapur rrugët presioneve politike ndaj qeverisë, destabilizimit institucional dhe manipulimit të ekzekutivit përmes proceseve penale do të ndodhte diçka që është e panjohur në Europë. Mjafton vetëm të parafytyrosh se çfarë lojërash politike në dëm të shtetit, në dëm të ligjit, të qytetarëve, të shoqërisë, mund të sillte e ardhmja, po të hapej kjo ‘’vrimë’’ e madhe në murin ndarës mes pushteteve kushtetuese në Shqipëri dhe duhet të jesh krejt i papërgjegjshëm karshi Shqipërisë, republikës sonë, për ta lënë të kalojë pa luftuar gjyqësisht në shkallë më të lartë, atë të Gjykatës Kushtetuese, këtë tentativë antidemokratike”, tha Rama. “Aq më keq akoma, pastaj duhet të jesh krejt i verbuar nga urrejtja politike për ta kthyer edhe këtë konflikt kompetencash mes ekzekutivit dhe gjyqësorit në një konflikt politik, siç bëjnë fatkeqësisht për çdo gjë ‘’të mbyturit e kënetës’’. Ama fakti është se ndërkohë që hidhen përpjetë mbi llumin e tyre për ta kapur nga duart e prokurorëve ‘’ushqimin’’ për opozitarizmin në këtë rast nuk e tregojnë dot, një rast të vetëm, një të vetëm në Europë, por edhe në botë po të duan, që u pezulloka anëtari i qeverisë me vendim gjykate nga një prokuror në një gjykatës. E vërteta është se nuk e gjejnë dot, se nuk ka. Nuk ka një rast të tillë dhe nuk kanë se si dhe ku e nxjerrin, mor edhe një të vetëm, sepse pezullimi i një ministri me iniciativën e një prokurori dhe vendim të një gjykatësi është një rrëmbim i kompetencës së kryeministrit. Përpos kësaj, është edhe absurd totalisht si koncept. Pse? Sepse “de jure” quhet pezullim, por “de facto” në rastin e ministrit është një shkarkim, të cilin kryeministri duhet thjesht ta formalizojë, meqë e mendoi prokurori dhe e vendosi gjykatësi me detyrim- përcaktim, sepse të pezullosh një ministër nuk do të thotë të pezullosh një funksionar publik të cilitdo nivel, atë ndërkohë mund ta bësh sepse ia bën punën dikush tjetër, por do të thotë të asgjësosh pa afat një autoritet me fuqi ekskluzive vendimmarrëse. Që ta dinë të tërë, nëse ministri pezullohet, zëvendësministri nuk e ushtron dot autoritetin ekskluziv që Kushtetuta ia jep vetëm ministrit për të përfaqësuar sektorin edhe në Këshillin e Ministrave dhe për t’i propozuar qeverisë vendime thuajse të përjavshme për ecurinë e sektorit apo sektorëve. As nuk dua t’i hyj fare fare, fare dokrrave dhe teorive konspirative për ‘’pse-në’’ e kësaj beteje ligjore, se kush nuk do të kuptojë se sa e thjeshtë është dhe që këtu s’është fjala as për Belinda Ballukun, as për mua e për qeverinë sot, po është fjala për mbrojtjen sot e përgjithnjë të kufijve kushtetues mes pushteteve, atëherë nuk ka se si e kupton. Ose pastaj ia do puna e vet dritëshkurtër që të mos e kuptojë. Kështu që, për ta mbyllur, si palë në proces që përfaqësoj kryeministrinë, jo shtëpinë time; që përfaqësoj interesin shtetëror dhe publik të funksionit tim të përkohshëm, jo interesin vetjak të ministres së pezulluar, dua t’i kujtoj të tërëve një gjë; detyrimi për të sqaruar opinionin publik lidhur me çështje në interes të publikut apo me qëndrimet e mia institucionale, unë e konsideroj të panegociueshme, qoftë edhe kur bëhet fjalë për një proces apo vendim gjyqësor, për të cilin opinioni publik është interesuar të dijë qëndrimin tim dhe prandaj e konsideroj dhe një detyrim të pandalueshëm. Nuk ma ndalon dot mua askush dhe për asnjë arsye që t’i shpjegohem atyre që më kanë vënë në këtë detyrë. Ndërsa ata, që s’kanë asnjë ide për mënyrën si unë funksionoj, në raport me detyrimet e mia ndaj vendit dhe ndaj atyre njerëzve mund të thonë çfarë të duan.Mua nuk më mbetet vetëm të përsërisë urimin tim, që Gjykata Kushtetuese e Republikës Shqipërisë t’ia kursejë Republikës së Shqipërisë shpikjen e një risie totalisht të pa mirëseardhur në historinë e drejtësisë demokratike europiane apo edhe botërore, po të doni”, e mbyll Rama reagimin.