Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të shtunën është shprehur se demokratët kanë kërkuar ngritjen e tre komisioneve hetimore; një komision hetimor për masakrën zgjedhore, një komision hetimor për inceneratorët dhe një komision hetimor për çështjen Becchetti. Për këtë të fundit, kryedemokrati theksoi se Rama e përdori shtetin në një luftë personale që i kushtoi shqiptarëve 120 milionë euro. Në një konferencë për mediat nga selia e PD-së, Basha tha se ngritja e dy komisioneve të tjera, për inceneratorët dhe Becchettin, po vonohen momentalisht nga pakica në pushtet, me pretekste sa naivie, po aq acaruese për qytetarët që e dinë mirë se çfarë fshihet pas tyre. Kryedemokrati tha se ata mund ta vonojnë ngritjen e tyre, por nuk e pengojnë dot atë.