Bashkimi Evropian i kërkoi Serbisë të bëjë zgjedhje të qarta strategjike në rrugën e saj evropiane, pasi Beogradi bleu raketa balistike supersonike nga Kina. Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se “kjo përfshin shmangien e varësive strategjike që nuk janë në përputhje me këtë qëllim”. Zëdhënësi shtoi se “një rrugë e besueshme evropiane nënkupton përkushtim ndaj stabilitetit rajonal dhe një mirëkuptim të përbashkët për sfidat e sigurisë, me të cilat përballet kontinenti ynë”. Të enjten, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e pranoi se vendi i tij ka blerë nga Kina raketa me fuqi të madhe shkatërruese, duke nxitur reagime nga vendet fqinje. Me këtë blerje, Serbia u bë vendi i parë, pas Pakistanit, që siguroi nga Kina raketa CM-400. Ndërkohë, Andrej Pllenkoviç, kryeministri i Kroacisë, që është anëtare e përhershme e aleancës ushtarake, njoftoi se do t’i njoftojë për këtë edhe anëtarët e tjerë të NATO-s. “Do të bisedojmë me partnerët tanë në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe do t’i paralajmërojmë për këtë lloj armatimi që është një risi në arsenalin e ushtrisë së Serbisë”, tha Pllenkoviç.