Një grup banorësh të zonës së ish-Kënetës, Durrësit të Ri, kanë protestuar për të kërkuar ndihmë, pasi banesat e tyre vijojnë të jenë nën ujë, ndërsa pasdite parashikohen sërish reshje. Sipas tyre, kanalet kulluese janë të bllokuara, ndërsa niveli i ujit ka arritur rreth 30 centimetra në oborre dhe brenda shtëpive. Sipas banorëve, uji nuk po tërhiqet dhe askush nuk ka ndërhyrë për ta larguar atë nga rrugicat dhe banesat. Ata thonë se dëmet materiale janë shumë të mëdha, po asnjë grup verifikimi për të parë nga afër situatën nuk ka shkuar në zonë dhe ndihen të lënë në mëshirë të fatit.