Lufta e SHBA dhe Izraelit kundër Iranit është një katastrofë për klimën, sipas një analize te publikuar nga The Guardian, që tregon se konflikti në dy javë ka sjellë emetime të karbonit të barasvlefshme me 84 vende së bashku, që konsiderohen si ndotës të vegjël. Teksa avionët luftarakë, dronët dhe raketat vrasin mijëra njerëz, rrafshojnë infrastrukturën dhe e shndërrojnë Lindjen e Mesme në një zonë gjigante katastrofe mjedisore, analiza e parë e kostos klimatike ka zbuluar se konflikti solli 5 milionë tonë emetime të gazrave të efektit serrë në 14 ditët e para. Analiza, gjithashtu thekson dëmin katastrofik mjedisor që shkaktohet nga sulmet ndaj infrastrukturës së karburanteve fosile, bazave ushtarake, zonave civile dhe anijeve në det. "Çdo sulm me raketa është një tjetër hap drejt një planeti më të nxehtë dhe më të paqëndrueshëm", tha Patrick Bigger, drejtor kërkimesh në Institutin e Klimës dhe Komunitetit dhe bashkautor i analizës. Çdo zjarr në rafineri dhe goditje në cisterna e bëjnë planetin tonë më të pajetueshëm. Ndërtesat e shkatërruara përbëjnë elementin më të madh të kostos së vlerësuar të karbonit. Karburanti është elementi i dytë më i madh, me bombarduesit amerikanë që fluturojnë nga larg për të kryer sulme mbi Iranin. Në 14 ditët e para, SHBA-të humbën katër avionë, ndërsa Irani 28 avionë, 21 anije detare dhe rreth 300 raketahedhës. Shkatërrimi i këtyre pajisjeve ushtarake vlerësohet se përbën emetime të larta të karbonit.