Goditja e kartelit shqiptar të trafikut të drogës me në krye Dritan Rexhepin që drejtonte gjithçka nga një burg në “Quito, kryeqytetin e Ekuadorit riktheu në vëmendje historinë se si shqiptarët kanë arritur të jenë një pjesë e rëndësishme e këtij aktiviteti në mbarë Europën. Sipas të dhënave të policisë italiane dhe Europolit, “perandoria” e ngritur nga Rexhepi bënte të gjithë procesin, nga lidhja e kontratave me kartelet e Amerikës Latine, transporti në Europë nëpërmjet brigjeve të Shqipërisë, Belgjikës, Greqisë dhe Italisë dhe më pas shitja te shpërndarësit e mëdhenj në këto vende. Vetëm në 5 vitet e fundit autoritetet mundën të sekuestronin 4 tonë kokainë dhe mbi 5.5 milionë euro të përfituara nga ky trafik.