Pesë vjet më parë dukej si legjendë urbane angazhimi i shqiptarëve në trafik droge nga Ekuadori, e nga e cila furnizohej e gjithë Evropa. Rastet që bëheshin publike në media të paktën nga publiku interpretoheshin si “fantazi mediatike”, por faktet janë kokëforta dhe ndër vitet e mëvonshme gjithçka u provua. Por, si sot një vit më parë ka dalë raporti nga autoritetet ekuadoriane, të cilët jepnin një panoramë të plotë të asaj që bëjnë atje grupet mafioze shqiptare. Bëhet fjalë për djem nga Tirana e Vlora, Durrësi e Shkodra të njohur apo të panjohur mes tyre dhe që lidhjet nuk i lanë vetëm në territorin shqiptar, por ngritën grupe në shumë shtete të Evropës. Nuk ngurruan të kenë edhe negociatorë të fortë në Ekuador, e ku njëri prej tyre tashmë ndodhet në burg. Bëhet fjalë për Dritan Rexhepajn, i njohur edhe me emrin Gramoz, që ndodhet në burg pasi u arrestua me urdhër kërkimi nga Interpol. Por, emrat e “çunave të kokainës” nuk kanë të bëjnë vetëm me trafik droge, por edhe vrasje dhe në jo pak raste emrat e tyre lakohen për atentate. Një prej emrave është ai i Eldi Dizdarin, që është arrestuar në Dubai, por rezulton i përfshirë edhe në një ngjarje kriminale në ish-bllok dhe sipas hetimeve të Policisë konflikti kishte të bënte për një borxh të pashlyer mes palëve. Skema që përdorin djemtë e kokainës nuk është thjesht krim, por dhe biznes. Ata krijojnë kompani dhe investojnë për të mos lënë shumë hapësira ligjore lidhur me trafikimin nga Amerika Latine. Mjafton të përmendet emri i Arbër Çekajt, që u kap me 613 kilogramë kokainë me një kontenier me banane. Zyrtarë të lartë të antimafias italiane kanë raportuar me shqetësim fuqizimin e lidhjeve të mafias shqiptare me atë italiane duke krijuar lidhje direkte me kartelet e drogës për të sjellë "pluhurin e bardhë" në Europë. Nisur nga disa sekuestrime në portet e Holandës, Belgjikës dhe Greqisë duket se linja më e re e trafikut të drogave të forta kalonte nga Shqipëria, ndaj dhe vendi ynë u fut në “listën e zezë” të mbajtjes nën vëzhgim dhe përfshirjes së institucioneve në hetime të përbashkëta. Në dosjet e shumta që ndodhen jo vetëm në Europol, por edhe në arkivën e Policisë Shqiptare rezulton se mjaft aktive ka qenë prej vitesh linja e re e kokainës nga Amerika Latine. Duket se trafikantët preh vitesh tashmë kanë zgjedhur rrugën Guayaquil në Ekuador-Pire në Greqi-Durrës në Shqipëri. Në raportin e fundit për luftën kundër narkotrafikut, Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi se grupet kriminale shqiptare trafikojnë kokainë dhe heroinë direkt nga vendet e prodhimit në Amerikën e Jugut dhe Azi për në Europë.