Si sot një vit më parë, furtuna e SPAK përfshiu nëntë zyrtarë dhe ish zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, të cilët akuzoheshin se kishin shkelur barazinë në tendera. Tetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë u arrestuan dhe një tjetër u la në ‘arrest shtëpie’, pas një operacioni disa mujor të kryer nga SPAK. Vetëm tetë ditë pasi u shkarkua nga detyra nga ministri Bledi Çuçi, Edlira Naqellari ra në rrjetën e hetimeve të SPAK. Naqellari mbante postin e drejtoreshës së blerjeve të përqendruara në Ministrinë e Brendshme. Policia arrestoi gjithashtu Kreshnik Bejkajn, Ani Omurin, Klevis Hasanin, Flutura Çekrezin, Fatmir Demnerin, Gëzim Mingajn dhe Mariglen Buzalin, ndërsa Anisa Bogdanin u la në arrest shtëpie. Zyrtarët dhe ish zyrtarët e ministrisë së brendshme akuzoheshin për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar në nenin 258 të Kodit Penal. Sipas dosjes hetimore rezultonte se në maj të vitit 2020 në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme u zhvillua procedura e prokurimit për llogari të Policisë së Shtetit, me objekt ‘Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, për 4 vjet, me fond limit rreth 2 miliardë e tetëqind milionë lekë.