Në shkurtin e vitit 2019, kryeministri Rama, nën cilësinë e shefit të Qeverisë miratoi në kabinetin qeveritar një plan strategjik 5 vjeçar për nisjen e një aksioni kombëtar për gjurmimin, mbledhjen dhe shkatërrimin e armëve, municioneve dhe eksplozivëve në duart e shqiptarëve. Sipas Ramës, udhëheqës për këtë do të ishte Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Mbrojtjes dhe një sërë institucionesh të tjera shtetërore, ndërsa do të monitorohej nga Komisioni Kombëtar për Armët e Vogla dhe të Lehta, i ngritur me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Por, që prej asaj kohe e deri tani, kjo strategji duket se nuk po funksionon. E para, sepse armët duket që janë lehtësisht në duart e të fortëve dhe të shumë qytetarëve, sepse shifrat e krimit janë të larta dhe e dyta, Policia nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar për këtë strategji, ashtu sikurse bëri në pak kohë Operacioni “Forca e Ligjit”.