Që nga vitet e para të pushtetit të tij, Edi Rama ka ditur të mbajë nën kontroll strukturat e Partia Socialiste. Zërat kundër ka ditur ti mbajë brenda mureve të selisë rozë dhe i vetmi reagim ka qenë largimi nga postet që kanë mbajtur në qeveri apo në strukturat e partisë. E në këtë vijë, mbledhja e së shtunës solli një tjetër episode të tensionuar: një debat mes Elisa Spiropalit dhe Erjona Ismailit ku u ngritën tonet, deri aty sa Rama paralajmëroi largimin e tyre nga takimi, reflekton kontrollin e fortë që ai ushtron mbi strukturat dhe disiplinën e brendshme. Por duket se kjo strategji e Ramës nuk është e re. Ish eksponenti i lartë socialist, Arben Malaj në një postim në rrjetet sociale shprehet se modeli i Ramës ka treguar herë pas here tendenca autokratike dhe një mënyrë të ashpër drejt atyre që ngrejnë zërin brenda partisë. I vetmi që foli për këtë episod ishte Niko Peleshi, i cili u përpoq të shuajë zërat, duke i quajtur këto përplasje “thashetheme pa substancë politike”. Dalja e Elisa Spiropalit nga reshti është vënë re më herët që kur u shkarkua si ministre për Europën e Punët e Jashtme si dhe si drejtuese politike e qarkut të Tiranës. Përplasja me Taulant Ballën ishte e fundit e dalë publikisht ku ajo reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale. E kësaj përplasjeje të fundit i është përgjigjur me një postim të një dite të diele me diell. "Mbaje fytyrën nga drita dhe hijet mbeten pas", shkruan ajo. A janë këto vetëm diversione politike të orkestruara nga selia, apo përçarje reale dhe debate të brendshme në elitën e PS-së?