Si sot një vit më parë në Gjykatën e Durrësit nisi një proces gjyqësor i pazakontë, ku palët ndërgjyqëse nuk ishin shqiptarë. Një trup gjykues nga Suedia mbërriti asokohe në Shqipëri për të marrë dëshmitë e 7 shtetasve iranianë në kuadër të gjyqit të nisur në Stokholm më 10 gusht të 2021 ndaj një prej zyrtarëve të regjimit iranian, i cili akuzohet si një nga ekzekutuesit e masakrës së vitit 1988 në Iran. Mbi 30 mijë të burgosur politikë u ekzekutuan pas gjyqeve të parregullta. I pandehuri Hamid Noury akuzohet për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Një nga paditëset ishte edhe Khadijeh Borhani, e cila tha se ishte e lumtur që po zhvillohej procesi gjyqësor. Gjatë seancave që asokohe nisën në 10 nëntor dhe zgjatën deri në 19 nëntor u dëgjuan dëshmitë kyç të 7 dëshmitarëve okularë, anëtarë të opozitës iraniane, MEK dhe që jetojnë në kampin Ashraf 3 në Manëz të Durrësit. Falë bashkëpunimit midis drejtësisë suedeze dhe asaj shqiptare, gjyqi u zhvendos në Durrës dhe përbën një rast unik me mjaft interes. Edhe Fatos Klosi, ish-kryetar i Shërbimit Informativ shtetëror ishte në sallë, si sot një vit më parë.