Si sot një vit më parë, në bregdetin shqiptar filloi “lufta për shezllongët e plazhit”. Si rallë herë, sezoni turistik u çel me shkrepje armësh dhe breshëri plumbash. Shfrytëzimi i vijës bregdetare, përgjatë sezonit veror u kthye në “mollë sherri” për pronarët e bizneseve. Mos përcaktimi i hapësirës për shezllonët solli vrasjen e katër personave dhe plagosjen e dy të tjerëve. Si pasojë e konfliktit me armë zjarri mes dy familjeve, që kishin në pronësi bizneset, mbetën të vdekur në vend Kujtim Ferracaku, vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocaj si dhe Myzerim Zeneli. Ky i fundit, vetëm 20 vjeç, punonte si kamarier dhe sapo kishte mbyllur ditën e tij të parë të punës në hotelin ku u shënua masakra. Ndërkohë të plagosur mbeten Hasan Farracaku dhe nipi i Gocajve, Elmilind Dyli. Për babain e dy vëllezërve të vrarë, fajtori për ngjarjen e rëndë ishte vetëm shteti.