U bë shumë kohë që në mediat e shkruara dhe ato vizive një vend të veçantë zënë edhe lajmet për ikjet masive të shqiptarëve drejt Evropës, kryesisht në Gjermani, me qëllim për të kërkuar azil politik, por që thellë-thellë është azil ekonomik, për shkak të mungesës së një të tille në vend. Në këto tre vitet e fundit, Shqipëria është shndërruar me shpejtësi në një vend të pashpresë, ku gjithkush rreket të largohet e të kërkojë azil nëpër Europë. Vetëm pak ditë më parë, Monitor kishte një shkrim të tillë për ikjet masive. Që pas viteve ’90, shumë shqiptarët morën rrugët e emigrimit për një jetë më të mirë. Në atë kohë ikën me çfarë të mundnin, me anije, përmes ambasadave, më pas me gomone, duke rrezikuar seriozisht jetën. Në atë kohë ishte një proces praktikisht i pandalshëm. Shqipëria vinte nga një regjim diktatorial, që kishte mohuar shumë mundësi dhe e kishte çuar popullsinë në një varfëri ekstreme dhe uri për të parë “botë me sy”.