Të gjithë jemi të ekspozuar ndaj krimit kibernetik aq më tepër kur gjithmonë e më shumë çdo lloj veprimi e kryejmë përmes shërbimeve të internetit. Vjedhja e identitetit është një nga shqetësimet më kryesore që lidhet me krimin kibernetik. Personat që kryejnë sulme kibernetike mund të përdorin të dhënat e viktimës për të kryer krime dhe vetë mbeten të pacënuar. Sipas ekspertëve, moshat më të cënuara nga krimi kibernetik janë nga 18 deri në 29 vjeç, sepse kjo kategori personash shpenzon më shumë kohë online dhe nuk është e mirëinformuar për rreziqet. Tashmë qytetarët janë më të lidhur me botën virtuale, pasi i aksesojnë llogaritë bankare online, vendosin informacionet personale kudo nëpër rrjete sociale, dhe shumica e individëve kryejnë blerje online apo sikurse quhen e-commerce pa e ditur sa të sigurta janë ëebsite të caktuara. Ekspertët thonë se Shqipëria është vulnerabël ndaj sulmeve të mundshme të kësaj natyre, që mund të shkojnë deri aty sa të cënojnë edhe sigurinë kombëtare. Sulmet dhe hakerimet mund të kenë pasoja shumë të rënda duke çuar në shantazhe, bullizëm, pedofili, përfshirjen e siteve pornografike dhe madje edhe dëme të mëdha ekonomike të bizneseve.