Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti në një takim në Tiranë, Ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó. Ky takim, i zhvilluar në rrethana të jashtëzakonshme, nën masa të rrepta sigurie, për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, u fokusua në disa çështje tepër të rëndësishme. Avancimi i agjendës dypalëshe politike dhe ekonomike, rrugëtimi evropian i Shqipërisë, mbështetja e Hungarisë për rindërtimin e vendit pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, si dhe bashkëpunimi konkret në luftën kundër Covid-19, ishin ndër temat e diskutuara në takim.