Dedektivët privatë vëzhgojnë çdo lëvizje, gjurmojnë informacione apo edhe administrojnë fakte të rëndësishme të cilat mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale dhe jo vetëm. Por, a mund të përdoren provat e grumbulluara në seancë gjyqësore, dhe a e ka Shqipëria një kuadër ligjor për punësimin e dedektivëve? Rastet më të njohura të punësimit të dedektivëve privatë, janë padyshim ato të zbulimit të tradhëtisë bashkëshortore. Megjithatë nuk mungojnë rastet kur eksponentë të botës së krimit, punësojnë dedektivë, për të kuptuar se kush i ka në shënjestër. Kush janë? Për cilin konflikt bëhet fjalë? Ku ndodhen personat që i kanë në listë, apo çfarë të kaluare kanë ata janë disa prej pyetjeve që përgjigja duhet të jepet nga dedektivët privatë, për të cilët paguhen shuma të majme.