Krizat botërore, e sidomos luftërat, përkthehen gjithmonë në rritje zinxhir të çmimeve. Lufta në Lindjen e Mesme tregoi sërish se nafta mbetet barometri më i ndjeshëm i ekonomisë globale. Sot, çmimi i saj në tregjet ndërkombëtare luhatet mes pasigurive, tensionet në Lindjen e Mesme, lufta në Ukrainë dhe rreziku për ndërprerje furnizimi që kanë shtyrë çmimin drejt niveleve të larta. Në Ballkan, në vende si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi apo Kosova, një litër naftë kushton ndjeshëm më pak se Shqipëria, për shkak të taksave më të ulëta. Të gjitha vendet e rajonit kanë dy shtylla kryesore, akcizën dhe TVSH-ne duke pasur strukturë të thjeshtë. Në rajon paguan taksë mbi produktin, ndërsa në Shqipëri paguan taksë mbi taksën. Prandaj Shqipëria ka një nga çmimet më të larta në rajon, dhe ndër më të lartët në botë. Vetëm në javët e fundit, nafta në Shqipëri ka arritur deri në 218 lekë për litër, duke reflektuar jo vetëm tregun global, por edhe një barrë të rëndë fiskale të brendshme. Ndërkohë, vendi mbetet plotësisht i varur nga importi, çka do të thotë se çdo lëvizje në bursë reflektohet direkt në xhepin e qytetarëve. Edhe mekanizmi i Bordit të Transparencës, që synon stabilizimin e çmimeve, shpesh kritikohet se reagon pas rritjes, pa e parandaluar atë. Pas kërkesës së importuesve të naftës, se çmimi i vendosur më herët prej 203 lekë për litër ishte nën kosto, të shtunën Bordi i Transparencës vendosi çmimin prej 218 lekë për litër. Demokratët sakaq kanë paraqitur propozimet e tyre për uljen e çmimit të naftës. A është nafta e shtrenjtë sepse rritet në botë, apo sepse në Shqipëri tatohet më shumë se kudo në rajon?